Edhe pse Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka luajtur ende asnjë takim zyrtar sa i përket vitit 2019, sërish kuqezinjtë kanë pësuar një rënie të vogël me vetëm një pozicion më poshtë në klasifikimin e kombëtareve në FIFA.
Nëse në klasifikimin e fundit të vitit 2018 skuadra e drejtuar nga tekniku Kristian Panuçi renditej në vendin e 60-të, tashmë Shqipëria pozicionohet e 61-ta. Një lëvizje e tillë justifikohet edhe prej triumfit të Katarit në Kupën e Azisë, e cila ndikoi që kombëtarja e Katarit të ngjitej me 38 pozicione e për pasojë të kalonte edhe Kombëtaren e Shqipërisë.
Ndërkohë, ndryshe shfaqet situata për përfaqësuesen e Kosovës e cila vazhdon progresin e shfaqur muajt e fundit. Edhe “Dardanët” nuk kanë zhvilluar asnjë ndeshje për këtë vit kalendarik por ndryshe ka Shqipëria janë ngjitur me një pozicion më lartë teksa tashmë renditen të 130-tët duke përfituar edhe nga rezultatet jo të mira nga kombëtaret e tjera.
Sakaq në krye të ranglistës botërore nuk ka ndryshim teksa Belgjika kryeson e ndjekur nga kampionët në fuqi të botës, Franca, ndërsa në podium është edhe kombëtarja braziliane. /Egi Çabeli/vipsport.al/